Publikon vrasjen në Facebook, në kërkim nga policia

17/04/2017 00:00

Policia e Clevelandit në Shtetet e Bashkuara është vënë në ndjekje të një 37-vjeçari, që vrau një të moshuar të pafajshëm e pretendon se në të njëjtën mënyrë krejtësisht rastësore ka ekzekutuar edhe 14 persona të tjerë.

Steve Stephens u shpall në kërkim në Ohio, pak pasi filmoi vrasjen dhe e postoi në mediet sociale. Një mandat urgjent arresti u lëshua për të mbrëmjen e së dielës, ndërsa autoritetet kanë lajmëruar banorët e Pensilvanisë, Nju Jorkut, Indianës dhe Miçiganit të bëjnë kujdes.

Videoja e rëndë, për të cilën policia thotë se është autentike, tregon sesi Stephens i afrohet me makinë 74-vjeçarit Robert Godwin, ndalon pranë tij dhe zbret nga mjeti, e pas kësaj hap zjarr.

Viktima, siç tregoi më pas i biri, ka qenë duke bërë shëtitjen e tij të zakonshme të pasdites, kur është kthyer në shënjestrën e pavullnetshme të 37-vjeçarit. Stephens shkroi në Facebook të dielën se ka vrarë 15 persona, por deri tani vetëm një vdekje është konfirmuar.

Në postimet e bëra, burri që punon në një institucion të shëndetit mendor ia faturon fajin e gjestit të vet ekstrem një gruaje, e cila besohet të jetë ish-e dashura e tij.

Top Channel