Protesta kundër Erdoganit, opozita konsteston rezultatin e referendumit

17/04/2017 09:00

Partia kryesore e opozitës në Turqi kërkon rinumërim të votave, pas rezultatit të ngushtë të referendumit të së dielës, që i jep presidentit Recep Tayyip Erdogan fuqinë ta zgjerojë ndjeshëm pushtetin e tij.

Partia Popullore Republikane (CHP), ka ngritur pretendimin se procesi zgjedhor pati parregullsi të mëdha. Përpjekja e Erdoganit për presidencë ekzekutive arriti të triumfojë me vetëm pak më shumë se 51% të votave.

“Turqia mori një vendim historik mbi një diskutim 200-vjeçar të lidhur me sistemin e saj kushtetues. Ky vendim nuk është diçka e zakonshme. Kjo është dita kur është hedhur një hap shumë i rëndësishëm në raport me Kushtetutën”, tha Erdogan.

Fitorja e tij u prit në të gjithë Turqinë, sa me festime, aq edhe me protesta. “CHP”-ja refuzon ta pranojë triumfin e “Po”-së dhe kërkon rinumërimin e 60% të votave, duke kritikuar sidomos vendimin për t’i konsideruar të vlefshme fletëvotimet e pavulosura, përderisa nuk provohej dot e kundërta.

Tre qytetet më të mëdha të vendit, Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri u thanë “Jo” ndryshimeve kushtetuese.

“Më duket sikur duhet t’i themi lamtumirë sistemit të republikës. Besoj se votat tona janë vjedhur. Për mua personalisht, vendimi i Bordit Zgjedhor për të numëruar votat e pavulosura është një skandal i madh”, tha Ebru Tavukcu, banor i Stambollit.

Mbështetësit e opozitës dolën menjëherë nëpër rrugët e Stambollit, duke përplasur tenxhere e tiganë, një formë tradicionale proteste kjo, ndërsa demonstrata të tilla të zhurmshme pati edhe në zona të tjera.

Top Channel