Referendumi në Turqi, fitore e hidhur e Erdogan

16/04/2017 00:00

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan ka shënuar fitore në referendumin e të dielës, që kishte si qëllim t’i jepte atij më shumë fuqi, por fitorja ka qenë më e hidhur nga sa ishte menduar.

Ndërsa ka fituar në pjesën qëndrore të Turqisë, ai ka humbur në qytetet e mëdha, mes të cilëve në kryeqytetin Ankara, në Stamboll, Izmir etj.

Kryeministri Binali Jildirim ka shpallur fitoren para mijëra mbështetësve të mbledhur para zyrave të partisë Drejtësi dhe Zhvillim në Ankara, ndërkohë që presidenti Erdogan, i është drejtuar mbështetësve nga një tribunë në Stamboll.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, rezultatet tregojnë se 51.34 për qind e turqve janë pro më shumë fuqive për presidentin dhe 48.66 për qind, janë kundër.

Zgjedhësve iu kërkua të mbështesnin një paketë reformash me 18 nene, propozuar nga partia në pushtet drejtësi dhe zhvillim, që do të zëvendësojnë sistemin aktual të demokracisë parlamentare me një presidencë të fuqishme, ekzekutive.

Pati gjatë ditës edhe polemika pasi komisioni elektoral njoftoi fillimisht se nuk do të pranonte fletët e votimit pa vula të komisionit, por ai ndërroi mendje në vijim duke thënë se do të pranonte fletët e pavulosura, nëse provohej se ato nuk ishin futur nga jashtë. Opozita tha se kjo do të prekte legjitimitetin e votës dhe kërkoi rinumërim të pjesëshëm.

Më herët gjatë ditës, tre persona humbën jetën në një incident me armë zjarri në një qendër votimi në provincën juglindore të Diarbakirit.

Ndryshimet kushtetuese që ishin në lojë në referendum, përbëjnë paketën më të madhe të ndryshimeve kushtetuese, që kur Turqia u bë Republikë thuajse një shekull më parë. Erdogan do të mund të emërojë ministrat, të lëshojë dekrete, të përzgjedhë gjykatësit dhe të shpërndajë parlamentin. Sistemi i ri anashkalon rolin e kryeministrit dhe përqëndron pushtetin në duart e presidentit. 

Sipas Erdogan, sistemi i ri, i ngjason atyre në Francë dhe SHBA dhe do të sjellë qetësi në një kohë trazirash të shënjuara nga rebelimi kurd, militantizmi islamik dhe konflikti në Sirinë fqinje.

Top Channel