Flamurtari, 3 pikë për mbijetesë

16/04/2017 00:00

Flamurtari ka arritur të marrë një fitore tejet të rëndësishme në Gjirokastër, duke rikuperuar pikë ndaj rivalëve për qendrim në Superiore.

Vlonjatët përmbysën disavantazhin e pjesës së parë të Luftëtarit, në 20 minutat e fundit të takimit.

Vendasit e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh që në minutën e dhjetë me anë të të zakonshmit Deivi Bregu. Luftëtari kontrolloi mirë lojën në pjesën e parë dhe pati mundësi të dyfishojë rezultatin, ndërsa vlonjatët nuk arritën të ngacmojnë seriozisht portën e gjirokastritëve.

Në pjesën e dytë trajneri i Flamurtarit, duro bën dy ndryshime dhe hedh në fushë Ardit Shehajn dhe Haxhi Nezirajn.

Vlonjatët kërkojnë golin e barazimit dhe e gjejnë me anë të Donjet Shkodrës, i cili si zakonisht shënon një tjetër supergol. Mesfushori kosovar shënoi nga distanca golin e tetë të tij, në këtë kampionat.

Pak minuta më vonë, portieri i vlonjatëve, Halilaj ka ndalur Rrocën në një rast të pastër për Luftëtarin.

Vlonjatën nuk kanë ç’të humbin dhe hidhen në sulm. Në minutën e 90 gjejnë golin e fitores me anë të një penalltie të ekzekutuar saktë nga mesfushori Bruno Telushi. 

Me këtë fitore, Flamurtari vazhdon të mbetet në zonën e rënies nga Superiorja, por tani Laçi është vetëm një pikë para, 29, ndaj 28 të vlonjatëve.

Javën e ardhshme, vlonjatët do të presin Vllazninë në stadiumin “Flamurtari”, në një ndeshje që do të luhet pa praninë e tifozëve.

Top Channel