Ndërron jetë gruaja më e vjetër në botë

16/04/2017 00:00

Emma Morano ishte e mbijetuara e fundit e regjistruar e shekullit XIX. Italiania 117-vjeçare, e cila ndërroi jetë paqësisht, teksa qëndronte e shtrirë në kolltukun e vet, kishte lënë pas dy luftra botërore, Depresionin e Madh dhe kishte parë të ndërroheshin 90 qeveri në vendin e saj.

Morano lindi 29 nëntorin e vitit 1899, në qytetin verior të Çiviaskos. Ata që e kanë njohur nga afër e përshkruajnë si një grua shumë të vendosur e thonë se sekreti i kësaj jetëgjatësie qëndron tek genet, por edhe dieta e vezëve, që Emma i pëlqente shumë. Ajo konsumonte 3 vezë në ditë, dy nga të cilat i merrte të gjalla. Ky zakon i kishte mbetur që nga koha kur ishte 20 vjeç dhe mjekët e kishin diagnostikuar me anemi.

Një tjetër preferencë e hershme e saj ishin biskotat. Silvia Marchionini, kryetarja e Bashkisë së Verbanias, ku jetonte gruaja 117-vjeçare, thotë se jeta e saj kishte qenë e jashtëzakonshme dhe se Emma do të mbahet mend për forcën e treguar me të cilën ndihmoi dhe të tjerë të ecnin përpara në jetë.

I fejuari i kishte vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore. Kushtet e detyruan të martohej me një person abuziv, të cilin nuk e donte, ndaj dhe e braktisi në vitin 1938. Djalin e vetëm e kishte humbur kur ai ishte 6-muajsh. Emma nuk u martua më kurrë.

Veten e mbante duke punuar fillimisht në një fabrikë të prodhimit të çantave e më pas në një hotel. Ajo jetoi më gjatë se 8 vëllezërit e motrat e saj, një prej të cilave vdiq në moshën 102-vjeçare.

Top Channel