“Countdown” i Juves, titulli sigurohet ndaj Romës?

16/04/2017 00:00

Për një shaka të vogël të fatit, në betejën për titullin kampion në futbollin italian mund të ndodhë gjithçka, me Juventusin që ka nisur tashmë numërimin mbrapsht për trofeun që shpreson ta shtojë në muzeun e saj prestigjioz.

Në harkun e një kalendari të ngjeshur që nga 6 deri më 14 maj, “Zonja e vjetër” mund të certifikojë fronin e Serie A.

Genoa, Atalanta, Torino, Roma, Crotone dhe Bologna janë sfidat e fundit të bardhezinjve të trajnerit Allegri, që në këto ditë duhet të përballen edhe me ethet që shton Champions League, një tjetër objektiv që po merr përmasa reale.

Tekniku i Juventusit ka synimin e 91 pikëve, pasi – sipas tij, – Roma mund të arrijë në kuotën 90. Por nëse gjithçka shkon vaj për kampionët në fuqi, 3 fitore dhe një barazim mund të mjaftojnë për 10 pikë të shtuara, me një sy te kryeqytetasit që shfaqin oshilacione.

Si për ironi, titulli i 6 radhazi i Juventusit mund të vijë pikërisht në përplasjen e drejtpërdrejtë me Romën në stadiumin “Olimpico”. Në javët që vijnë, bardhezinjtë dhe ekipi roman kanë një kalendar të ngjashëm, me rivalë pak a shumë të njëjtë, e kjo të shtyn të mendosh se distanca prej 8 pikësh mund të mos ndryshojë. Lacio dhe Milani janë pengesa të vështira për ekipin e Spallettit në sprintin final.

Roma-Juve është takimi për t’u shënuar me të kuqe, pra mundësia e fundit që verdhekuqtë të rrëzojnë torinezët nga froni.

Top Channel