Messi, sulmuesi më i vlefshëm në La Liga

16/04/2017 00:00

Askush te Barcelona nuk dyshon për aftësitë shënuese të futbollistëve në repartin ofensiv, por problemet në mbrojtje po cënojnë fushatën e katalanasve, si në Champions, ashtu dhe në La Liga.

Këtë fundjavë, formacioni “blaugrana” fitoi 3-2 ndaj Real Sociedad dhe, ashtu si shpeshherë këtë sezon, u shpëtua nga Lionel Messi me dy gola.

Talenti argjentinas tani numëron 29 gola në kampionatin spanjoll këtë sezon, por më shumë se gjithçka mes numrave, është rëndësia e rrjetave të lojtarit argjentinas, ajo që bën diferencën mbi të gjithë të tjerët.

Lionel Messi ka arritur të fitojë 17 pikë për Barcelonën në La Liga, pikërisht përmes atyre 29 golave, më shumë se çdo futbollist tjetër, përfshi Cristiano Ronaldon.

Shumëkush pyet veten se ku do të renditej Barça pa numrin 10 të saj në fushë… Statistikat tregojnë vërtet rëndësinë e futbollistit argjentinas. Kritikët e Lionel Messit thonë se, ai përfiton nga topat e shumtë të marrë, por në të vërtetë, futbollisti “blaugrana” mund të krenohet se ka shënuar më shumë gola me goditje jashtë zonës, në një krahasim të bërë në 5 kampionatet kryesore europiane.

Katalanasve do t’u duhet një Messi në një formë të shkëlqyer të mërkurën ndaj Juventusit, nëse kërkon të mbijetojë në Champions përballë humbjes 3-0, në një javë që mbyllet me “El Clasico”-n ndaj Realit të Madridit.

Top Channel