Panama, atentat ndaj futbollistit të kombëtares

16/04/2017 00:00

Veterani i kombëtares panameze dhe futbollist me eksperiencë ndërkombëtare, Amilcar Henriquez humbi jetën pas një atentati me armë zjarri në Nuevo Colon, në vendlindjen e tij, duke rikthyer ngjarjet tragjike në sportin më popullor në planet.

Mesfushori i njohur në Amerikën Qendrore dhe atë të Jugut me 75 ndeshje të zhvilluara me fanellën e përfaqësueses u godit fatalisht me armë dhe, pavarësisht se u dërgua me urgjencë në një spital në Sabanitas, nuk mundi të mbijetonte.

Federata e Futbollit të Panamasë dhe shumë lojtarë të tjerë të njohur bënë homazhe për nder të viktimës, ndërsa policia po punon për zbardhjen e të gjithë ngjarjes.

Henriquez, që debutoi në arenën ndërkombëtare në vitin 2005, pati një rol aktiv edhe në fushatën e kualifikueseve për Botërorin 2018 në Rusi. Ndeshja e muajit të kaluar ndaj Shteteve të Bashkuara ishte edhe e fundit e tij me Panamanë.

Top Channel