Referendumi turk, votohet për të ndryshuar Kushtetutën

16/04/2017 00:00

Turqia vendos sot për të ardhmen e saj. Miliona turq iu drejtohen kutive të votimit për të thënë fjalën e tyre në referendumin tejet polemizues për Kushtetutën e re, që e vesh me fuqi shtesë presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Zgjedhësve u kërkohet të aprovojnë paketën reformuese prej 18 nenesh, të paraqitur nga Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila do të zëvendësojë praktikisht sistemin e demokracisë parlamentare me atë të një presidence të fortë ekzekutive.

Një rezultat fitues “Po”, i cili kërkon shumicë të thjeshtë votash, do të shfuqizojë rolin e kryeministrit, duke lejuar kreun e shtetit të sundojë edhe me një aprovim minimal të Parlamentit. Mbështetësit e Erdoganit argumentojnë se sistemi i ri do t’i sjellë vendit më shumë stabilitet politik dhe ekonomik.

Kush ka dalë në krah të kësaj ideje, këmbëngul se Turqisë i nevojitet një president me autoritet të fortë për t’iu përgjigjur sfidave që i kanosen vendit. Për kundërshtarët është e qartë se, një lëvizje e tillë do ta kthejë vendin në autokraci.

“Unë do të votoj po, sepse sistemet aktuale legjislative dhe ekzekutive përmblidhen po në të njëjtin Parlament. Anëtarët e qeverisë propozojnë e prapë janë ata që votojnë. Ne nuk duam që ata t’i bëjnë të dyja, gjërat duhet të jenë të ndara”, tha Yusuf Tekce, mbështetës i “Po”-së.

“Nuk mendoj se është e nevojshme të ndryshojë sistemi aktual. Ndryshime kaq të mëdha në një vend kaq të komplikuar. Nuk është se do të ndryshojnë vetëm disa ligje, do të ndryshojë çdo gjë. Do të përmbysen të gjitha. Ç’na hyn në punë kjo neve?”, tha Serkan Yildiroglu, përkrahës i “Jo”-së.

Erdogan, forca shtytëse pas ndryshimeve kushtetuese, pretendon se  reforma do të sjellë eficencë në qeverisje dhe në përballimin e kërcënimeve si grushtshteti i dështuar i një viti më parë, apo rreziqet nga Shteti Islamik dhe separatistët kurdë.

Në bazë të propozimit, presidenti do të ketë autoritetin të emërojë ministrat, të hartojë buxhetin, të nxjerrë ligje përmes dekreteve presidenciale, të shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

Top Channel