Turqia voton në referendumin historik

16/04/2017 00:00

Në Turqi po votohet për atë që pritet të jetë një referendum historik, pasi do të përcaktojë nëse presidenti Recep Tayyip Erdogan do të sigurojë ose jo më shumë pushtet, në synimin e tij për të zëvendësuar sistemin parlamentar me atë të një presidence me fuqi ekzekutive.

Mbështetësit thonë se kjo lëvizje do ta ristrukturojë dhe modernizojë vendit, ndërsa kundërshtarët i frikësohen faktit se tashmë Turqia mund të kthehet në një vend autoritarist. Një votë “po” në referendum do të sillte gjithashtu faktin që Erdogan do të qëndrojë në postin aktual deri në vitin 2029.

Të shtunën, politikanët turq bënë apelimet e tyre të fundit ndaj votuesve, të cilët sot u janë drejtuar kutive të votimit në atë konsiderohet si një nga referendumet për ndryshime kushtetuese më të fuqishme, që kur Turqia u bë republikë rreth një shekull më parë.

Rreth 55 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë nëpër 167 mijë qendrat e votimit, ndërsa rezultatet pritet të shpallen mbrëmjen e kësaj të diele. Nëse referendumi shkon në favor të Erdoganit, ai do të marrë fuqi të zgjeruara për të emëruar ministrat e kabinetit, për të lëshuar dekrete, për të zgjedhur gjykatësit më të lartë dhe për të shpërbërë Parlamentin.

Erdogan ka thënë se ndryshimet janë të nevojshme për të adresuar sfidat e sigurisë me të cilat përballet Turqia, e gjithashtu për të shmangur qeveritë e brishta të koalicionit në të kaluarën. Duke folur në një nga mitingjet e fundit në Stamboll, Erdogan u tha mbështetësve se Kushtetuta e re do të sjellë stabilitet dhe besim, gjëra që nevojiten për vendin tonë në mënyrë që të zhvillohet më tej”.

Erdogan u bë president, një pozicion kryesisht ceremonial, në vitin 2014, pas më shumë se një dekade si kryeministër i Turqisë.

Top Channel