Pas paradës, Koreja e Veriut dështon në testimin e radhës

16/04/2017 00:00

Vetëm një ditë pas paradës ushtarake të zhvilluar si për të treguar forcën mes rritjes së tensioneve në gadishull, Koreja e Veriut ka dështuar të lëshojë një raketë balistike në brigjet lindore të saj, të paktën nga sa njoftojnë zyrtarë ushtarakë të Koresë së Jugut dhe ata amerikanë.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se raketa balistike shpërtheu brenda pak sekondash nga lëshimi. Vetëm pak orë më herët, vendi i izoluar komunist kishte zhvilluar një paradë me ato që dukeshin të ishin raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, duke i bërë karshillëk Shteteve të Bashkuara, që kanë dërguar një grup goditës të flotës amerikane pranë gadishullit korean.

Deri më tani, edhe pse kundër rezolutave të Kombeve të Bashkuara, Koreja e Veriut ka zhvilluar 5 teste bërthamore dhe një seri lëshimesh të raketave balistike. Zhvillimi më i fundit vjen në një kohë kur zv.presidenti amerikan, Mike Pence është nisur drejt kryeqytetit koreano-jugor, Seul, ku pritet të diskutojë mënyrat më të mira për t’i dhënë zgjidhje programeve raketore dhe bërthamore të vendit komunist.

“Koreja e Veriut u përpoq të testonte një tip të paidentifikuar rakete nga porti lindor Sinpo”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut, duke shtuar se lëshimi i së dielës dështoi, ndërkohë që po heton për të mësuar më shumë detaje.

Ndërsa pak më vonë, Komanda amerikane e Paqësorit konfirmoi testin e dështuar, duke shtuar se kishte pikasur dhe ndjekur atë që besohej të ishte një raketë balistike koreano-veriore.

“Raketa ka shpërthyer thuajse menjëherë pas lëshimit”, tha Dave Benham, komandant i Marinës amerikane. Një zyrtar i paidentifikuar amerikan tha se pak gjasa ka që ajo raketë të ishte ndërkontinentale, por hetimet po zhvillohen edhe në këtë drejtim.

Të shtunën, Koreja e Veriut shënoi 105-vjetorin e lindjes së presidentit themelues, Kim Il-sung, me një parada të madhe ushtarake në Penian, mes spekulimeve se udhëheqësi aktual suprem, Kim Jong-un mund të urdhëronte edhe një test të ri bërthamor. Ngjarja, ku përfshiheshin edhe raketa ndërkontinentale dhe balistike që lëshohen nga nëndetëset, ishte një shfaqje e qëllimshme force.

Top Channel