Iran, 30 të vdekur nga përmbytjet, emergjencë në disa provinca

15/04/2017 00:00

Të paktën 30 persona kanë vdekur nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut që përfshinë provincën Azarbaixhan, në veri-lindje të Iranit.

Lajmin e ka bërë të ditur televizioni publik vendas, sipas të cilit në dy qytete, Axhabshir dhe Azarshahr, llogariten edhe 7 të humbur e 5 të plagosur.

Trupat e pajetë të viktimave, sipas autoriteteve të emergjencave, janë gjetur në dy qytetet e sipërpërmendura, përkatësisht 16 tek i pari dhe 14 tek i dyti.

Për t’i bërë ballë situatës në lëvizje janë vënë edhe forcat e armatosura, policia, Kryqi i Kuq dhe helikopterë për të transportuar të plagosur dhe ndihma.

Shtatorin e kaluar të paktën 10 persona humbën jetën në përmbytje të ngjashme, të verifikuara në provincat e Teheranit dhe Hormozganit.

Top Channel