Derbi “kinez” i Milanos, kuqezinjtë rrëmbejnë një pikë në të 97-n

15/04/2017 00:00

Nuk ka fitues në të ashtuquajturin “derbin e kinezëve” mes Interit e Milanit. Në “San Siro”, sfida përfundoi ashtu sikurse edhe në fazën e parë, me barazimin 2-2 në një ndeshje vërtet të çmendur ku ai që e vulosi rezultatin përfundimtar ishte Zapata në sekondën e fundit të shtesës prej 7 minutash.

Edhe pse si asnjëherë më parë derbi u luajt në mesditë, ndeshja ishte me ritëm të lartë dhe me emocione të shumta. Milani e nisi ndeshjen më agresiv se Interi, duke krijuar disa raste për shënim, por për aftësi të Handanovic dhe si pasojë e gabimeve të lojtarëve kuqezi, porta e Interit nuk u prek në 45 minutat e para.

Ndërkohë, Interi shfrytëzoi në maksimum kundërsulmin dhe në të 36-n, Candreva mposhti Donnarumma-n. Vetëm 8 minuta më pas ishin sërish zikaltrit, këtë herë me kapitenin Icardi që e pati mjaft të thjesht ta dërgonte topin në rrjetë me portën e boshatisur, pas një aksioni të bukur dhe asisti perfekt të Perisic, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazhin e dy golave për Interin.

Pjesa e dytë nisi me Milanin në kërkim të golit që do të ngushtonte diferencë, por e gjeti shumë vonë, vetëm në minutën e 83 me mbrojtësin Romagnoli.

Megjithatë, arbitri akordoi 5 minuta shtesë, madje pas tyre la të zhvillohet loja edhe për dy minuta të tjera, ku Zapata e shënoi edhe golin e barazimit.

Edhe pse pa fitues, derbi i Milanos dhuroi shumë emocione, ndoshta të shumta ishin edhe për tifozët në Kinën e largët, që në këtë derbi ishin më të shumtë se kurrë më parë.

Top Channel