Sulmi në Dortmund, prokuroria dyshime për autorësinë

15/04/2017 00:00

Hetuesit gjermanë kanë dyshime lidhur me autenticitetin e letrave që sugjerojnë së militantët islamikë kishin sulmuar autobusin e skuadrës së Borusia Dortmundit.

Sipas tyre letra mund të jetë një përpjekje për t’i orientuar autoritetet drejt pistës së terrorizmit radikal, ndërsa siç thonë, ajo e së martës mund të ketë qënë vepër e ekstremistëve politikë nga e majta ose e djathta, ose e tifozëve të dhunshëm të futbollit. 

2 persona mbetën të lënduar pas shpërthimit të tre bombave pranë autobusit të skuadrës, futbollisti Marc Bartra dhe një oficer policie. 3 letra identike ku thuhej se sulmi ishte kryer në emër të Allahut u gjetën pranë vendit të ngjarjes, e një 25-vjeçar nga Iraku u arrestua të mërkurën për lidhje të dyshuara terroriste.

E megjithate, prokuroria mendon se letrat mund të jenë të rreme. Zhvillimet e reja u bënë publike nga dy televizione gjermane e gazeta “Suddeutsche Zeitung” dhe u pranuan më vonë edhe nga zëdhënësja e prokurorisë federale Frauke Koehler …Hetuesit vleresojnë se shumë elemente të letrave janë të pazakontë për grupe të tilla si ai i Shtetit Islamik…

Këtu përfshihet edhe pretendimi se sportistët dhe personalitete të tjera të famshme do të ishin në rrezik nëse baza ajrore e Ramstein nuk do të mbyllej e nëse avionët gjermanë nuk do të tërhiqeshin nga Siria. Sipas prokurorisë, Isis nuk negocion në këtë mënyrë.

Eksperte të sigurise të cituara nga “Suddeutsche Zeitung” mendojnë se letrat mund të jenë shkruar nga një shtetas gjerman i cili përmes gabimeve të qëllimshme ishte përpjekur të dukej si dikush që e ka gjermanishten gjuhë të dytë.

Ndërkaq një tjetër gazete, Tagesspiegel thotë se kishte marrë një imail nga dikush që i përkiste ekstremit të djathtë, që pretendonte se sulmi kishte qënë një paralajmërim dhe kishte bërë kërcënime raciste.

Top Channel