Champions, në Katalunjë kërkojnë “Remuntada”-n

14/04/2017 00:00

Luis Enrique është përfshirë sërish nga klima e një përmbysjeje të mundshme, që do të elektrizonte ndoshta më shumë sesa ajo ndaj Paris SG, tifozët “blaugrana”.

Por nëse ndaj parizienëve, skuadra spanjolle shënoi plot 6 herë këtë sezon, me Juventusin nevojiten 4 gola, pa pësuar asnjë. Në një paralele hipotetike mes dy rasteve, trajneri i Barcelonës e cilësoi më të vështirë ekipin francez sesa Juventusin, me të cilin do të luajë të mërkurën.

“Është e qartë që humbja në Torino na ka sjellë dëme morale. Ne zhvilluam një pjesë të parë aspak të mirë, por duhet të konsiderojmë se fati nuk ishte në anën e Barcelonës në rastet e Iniestës dhe Suarezit. Përgjegjësi i vetëm, nëse gjërat shkojnë keq, jam unë si trajner. Por nuk dua të pranoj që gabuam diçka taktikisht në humbjen me Juven, madje nuk është ky momenti më i keq, që kur kam marrë drejtimin e ekipit”, tha Luis Enrique.

“Përmbysëm 4 gola ndaj Paris SG dhe nga ky këndvështrim do të jetë më e lehtë për ne, ta bëjmë një gjë të tillë ndaj Juventusit. Nuk pendohem për fjalët që them, por gjërat ndryshojnë dhe shoh shumë skenarë për kthimin në Champions. Do të rrezikojmë, pasi nuk kemi se çfarë të humbim”, tha trajneri i Barçës, për sfidën e javës së ardhshme.

Top Channel