Ndaj Korabit, Skënderbeu me “3 pikë në letër”

14/04/2017 00:00

Skënderbeu nuk është më e njëjta skuadër me atë që ka dominuar në sezonet e kaluara, e për këtë mbrojtësi kosovar Bajram Jashanica jep arsyet se, përse korçarët shfaqin oshilacione në lojë dhe rezultate.

“Ndërrimi i trajnerit dhe i lojtarëve ndikojnë që Skënderbeu të mos jetë gjithnjë i njëjti. Por gjithmonë Skënderbeu do të luftojë për trofe, si në kampionat edhe në kupë. Do të luftojmë deri në fund sa të na jepet mundësia, në të dyja kompeticionet”, tha Bajram Jashanica, futbollist i Skënderbeut.

Mbrojtësi kampion i Shqipërisë ia faturon edhe pak fatit, në ndeshje të caktuara, dështimin për të qenë në krye të renditjes, kur duhet edhe mbi një muaj nga fundi i Superiores.

“Ne kemi luajtur më mirë sesa kundërshtarët, por na ka munguar disi fati në ndeshjet me rivalët. Qoftë me Kukësin këtu në Korçë, ashtu edhe me Partizanin apo në ndeshjen e fundit. Po të kishim pasur edhe pak fat ndoshta do të kishim marrë rezultate edhe më të mira. Por ka ende shumë ndeshje deri në fund, ndaj shpresoj që të jemi ne, ata që do të dalin të parët në fund. Si Partizani edhe Kukësi janë ekipe të forta, me verilindorët që ende nuk e njohin humbjen, por nuk do të thotë se do të shkojë deri në fund kështu”, tha më tej Jashanica.

Sfida e radhës e Skënderbeut të trajnerit Ilir Daja do të jetë të shtunën në orën 16:00 ndaj Korabit, me dibranët tashmë aspak të motivuar dhe të dënuar të zbresin në një kategori më inferiore.

Top Channel