Drejtori i CIA-s, Pompeo: “Wikileaks”, shërbim sekret armiqësor

14/04/2017 00:00

Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo e quajti “Wikileaks”-in gjatë së enjtes “një shërbim inteligjence armiqësor”, “jo shtetëror”, shpesh të përdorur nga aktorë shtetërorë si Rusia, veçanërisht në periudha të rëndësishme, siç ishte edhe fushata zgjedhore e vitit të kaluar në SHBA.

“Wikileaks vepron si një shërbim zbulimi armiqësor”, tha Pompeo në Uashington. “Wikileaks” publikoi “e-mail”-et demokrate gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, që agjencitë amerikane të zbulimit thonë se janë vjedhur përmes sulmeve kibernetike nga Rusia, në përpjekje për ta kthyer fushatën kundër kandidates demokrate Hillary Clinton dhe në favor të republikanit Donald Trump, që rezultoi fitues.

Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange thotë se publikimi i “e-mail”-eve demokrate nuk kishte si qëllim të ndikonte te zgjedhjet. Në mars, “Wikileaks” publikoi dokumente që përshkruanin aparaturat e përgjimit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA, por nuk publikoi programet e plota që përdoreshin për ndërhyrje kibernetike në telefonat celularë, kompjuterat dhe televizionet e lidhura me internetin.

Assange, i lindur në Australi, është mbyllur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër që nga viti 2012, pasi kërkoi atje strehim politik për të evituar ekstradimin në Suedi, ku akuzohet për përdhunim, gjë që ai e mohon.

Top Channel