Të kursesh gjithçka për ëndrrën e jetës

14/04/2017 00:00

Renata Rojas ka pritur shumë kohë për të vizituar atë që ka mbetur nga Titaniku, që kur ajo ishte vajzë e vogël, dekada përpara se anija fatkeqe të zbulohej në fund të detit.

Vitin e ardhshëm, bankierja 49-vjeçare nga Nju Jorku dhe e apasionuar pas zhytjeve, mund të realizojë më në fund ëndrrën e saj. Ajo po shpenzon më shumë se 105 mijë dollarë për këtë privilegj.

“Nuk kam një apartament, nuk kam as makinë. Nuk kam shkuar as në Everest. Të gjitha kursimet e mia i kam mbledhur për të realizuar këtë ëndërr, të shoh nga afër Titanikun”, tha Rojas, që është përpjekur të arrijë anijen e mbytur në vitin 2012, në një ekspeditë me rastin e 100-vjetorit të mbytjes së tij, por që u anulua.

Ajo thotë se ka bërë shumë sakrifica gjatë viteve.

Duke filluar që nga maji i vitit 2018, ekspeditat “OceanGate” do të nisin një seri zhytjesh në thellësi, në bordin e nëndetëseve të vogla, për njerëz si Rojas që duan të shohin anijen e famshme.

Kompania zotëron të vetmen nëndetëse kërkimesh private në botë, që është në gjendje të zhytet deri në thellësinë ku ndodhet Titaniku, ndërsa 4 mjetet e tjera të ngjashme janë në pronësi të qeverisë.

Mungesa e nëndetëseve private, shto këtu çmimin e kripur të këtyre zhytjeve komerciale, janë arsyet kryesore pse vendi nuk është eksploruar nga ekipe zhytësish në 12 vite.

Më pak se 200 vetë llogaritet të kenë vizituar anijen e mbytur deri më sot. Ndërkohë, në total, 50 vetë do të jenë pjesë e ekspeditës që “OceanGate” do ta nisë nga ishulli kanadez i Newfoundlandit dhe që do të zgjasë për 8 ditë.

Ata do të zhyten në grupe më të vogla në thellësi, e secili do të ketë një detyrë të caktuar, si për shembull fotografimi i artifakteve etj.

Titaniku i famshëm u mbyt më 15 prill të vitit 1912, pasi ishte përplasur me një ajsberg, në udhëtimin e tij përurues nga Anglia në Nju Jork, duke shkaktuar mbytjen e më shumë se 1.500 vetëve. Mbetjet e anijes u lokalizuan në vitin 1985 dhe gjenden në një thellësi prej më shumë se 2 miljesh në fund të oqeanit.

Një nga katastrofat më të mëdha detare të regjistruara ndonjëherë, mbytja e anijes gjigante vazhdon të ndezë emocione të thella edhe në ditët e sotme.

Top Channel