Sulmi në Suedi, Uzbekistani: I kishim paralajmëruar

14/04/2017 00:00

Ndërsa Suedia merr veten nga sulmi terrorist i 7 prillit, autoritetet uzbeke thanë se e kishin paralajmëruar Perëndimin se i dyshuari për aktin terrorist në Skokholm ishte rekrutuar nga Shteti Islamik, pasi u largua nga Uzbekistani në vitin 2014.

Ministri i Jashtëm uzbek, Abdulaziz Kamilov tha se, informacionet për të dyshuarin Rakhmat Akilov i ishin kaluar një prej partnerëve perëndimorë, në mënyrë që të informohej edhe pala suedeze. Ministri uzbek Kamilov tha se i dyshuari kishte nxitur bashkëqytetarët e tij që të shkonin në Siri dhe të luftonin për Shtetin Islamik.

Më herët, një agjent i sigurisë uzbeke, i cili preferoi të mbetej anonim, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se, Akilov kishte tentuar vet të shkonte në Siri në vitin 2015. Por, ai u ndalua nga forcat turke në kufi dhe u kthye në Siri.

Është shumë e rrallë për autoritetet uzbeke që të tregojnë detaje të tilla të shërbimeve sekrete, por kjo shton edhe më shumë presionin mbi shërbimet suedeze të sigurisë, për të sqaruar pse nuk i kushtuan më shumë rëndësi emrit dhe gjetjes së Akilovit.

Të pyetur nga mediet, përfaqësues të shërbimeve sekrete suedeze thanë se, as mund të konfirmojnë dhe as të mohojnë marrjen e këtij informacioni nga Uzbekistani. 39-vjeçari Rakhmat Akilov u arrestua pak orë pas sulmit dhe pranoi përgjegjësinë për të, por duket se me pak përpjekje më shumë, Suedia mund ta kishte parandalur agresionin.

Top Channel