Trump, me një qëndrim prej komandanti të rreptë

14/04/2017 00:00

Presidentit amerikan, Donald Trump, duket se po fillon t’i pëlqejë të “tërheqë këmbëzën”. Brenda pak ditësh, komandanti i përgjithshëm Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara urdhëroi përdorimin e disa prej armëve më të fuqishme të arsenalit amerikan, duke dërguar sinjalin e qartë se është një president që nuk e ka problem të përdorë forcën vdekjeprurëse.

Së pari, Trump përdori raketat “Tomahawk” kundër një baze ajrore siriane, si raprezalje për sulmet me armë kimike. Të enjten, ushtria përdori një prej armëve jobërthamore më të fuqishme, një “përbindësh” që njihet si “nëna e të gjitha bombave”, kundër militantëve të Shtetit Islamik në Afganistan.

Të dy operacionet mund të justifikohen në kuadër të strategjisë kundër armëve kimike dhe terrorizmit, por Shtëpia e Bardhë e di që përdorimi i kësaj force kolosale ka impakt politik, brenda në SHBA ku Trump po has probleme, por edhe jashtë vendit ku qeveri të shumta duan të kuptojnë sesi Trump do ta përdorë fuqinë ushtarake.

Trump tha se i ka dhënë më shumë liri ushtrisë dhe suksesi është i qartë, pasi mjafton një krahasim i ngjarjeve të 8 javëve të fundit me 8 vitet e Barack Obamës për ta kuptuar.

Përdorimi i superarmëve dhe mesazhi i Trumpit se problemi i Koresë së Veriut duhet zgjidhur, nuk lënë shumë vend për keqkuptime në kuadër të opsioneve që Trump i jep vetes. Pikërisht këtë përshkroi edhe senatori republikan Lindsey Graham, me mesazhin e tij në “Twitter”, ku shkruan se shpreson që rivalët e Amerikës të jenë duke parë, sepse në qytet mbërriti një sherif i ri.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel