“Krisje” te Barcelona. Enrique kritikon yjet e skuadrës

14/04/2017 00:00

Ambienti te Barcelona nuk është aspak i qetë, pavarësisht besimit që ekziston se mund të eliminojnë Juventusin në çerekfinalet e Champions League.

Sipas medieve iberike, trajneri Luis Enrique ka bërë përgjegjës për disfatën në Torino disa prej futbollistëvë kryesorë të kampionëve të Spanjës, e më konkretisht Neymar, Pique dhe Mascherano, duke i akuzuar për mungesë të ambicieve në fushën e lojës.

Gjithnjë sipas asaj që publikohet në median iberike, kjo ka qenë hera e parë që Luis Enrique ka shfryrë inatin e tij në drejtim të futbollistëve, që nga momenti kur ai mori detyrën e trajnerit të Barcelonës.

Mësohet se 47-vjeçari e kritikoi Pique se nuk ishte në gjendje që të drejtonte mbrojtjen me 3 futbollistë, ndërsa Mascherano u akuzua për gabimet e shumta. Po kaq i ashpër, Enrique u tregua edhe me Neymarin për pozicionin që ai mori në fushën e lojës.

Tani mbetet për t’u parë sesi do të jetë reagimi i futbollistëve katalanas në ndeshjen e kthimit, e nëse ata do të mund të realizojnë një tjetër përmbysje të madhe në këtë sezon.

Top Channel