Kosovë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare konfirmon dyshimet për sulme

14/04/2017 00:00

Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Kosovë ka konfirmuar dyshimet për mundësinë e sulmeve gjatë periudhës së festave në ditët e ardhshme.

Institucionet e Kosovës nuk përmendin fjalën terrorizëm, por grupe të lidhura me shërbime dhe konflikte në vendet e tjera, që kanë për qëllim sulmet ndaj udhëheqësve politikë e institucionalë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka thënë se autoritetet zbuluan veprime të disa individëve dhe grupeve të lidhura me vende të tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e rendit kushtetues.

Kosova u alarmua pas njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë për shtetasit e saj, ku kërkohej kujdes maksimal, pasi “terroristët në rajon, edhe më parë kanë dashur të sulmojnë shënjestra të lehta, përfshirë kishat dhe objektet e tjera të shenjta, zonat për këmbësorë, objektet sportive, koncertet dhe sallat për tubime publike”.

Policia nuk ka komentuar shumë këto ngjarje, por mesazhi duket se është marrë. Autoritetet kanë thënë se do të mbrojnë udhëheqësit e Kosovës.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë, pasi publikoi një këngë në “Youtube” me thirrje për dhunë, por nuk është konfirmuar lidhja e tij me alarmin e sigurisë së përgjithshme.

Top Channel