Inter-Milan, 4 milionë euro të ardhura nga biletat

14/04/2017 00:00

Ditën e shtunë do të luhet derbi i Madoninës mes Interit e Milanit. Është një ndeshje që ka ngjallur interes mjaft të madh dhe këtë e tregon shifra e të ardhurave të grumbulluara nga shitja e biletave.

Mësohet se në treg tashmë nuk ka mbetur asnjë e tillë dhe se shifra e arkëtuar është 4 milionë euro, gjë që përbën një rekord për futbollin italian. Rekordin e mëparshëm e mbante pikërisht sfida mes Interit e Juventusit, e zhvilluar në shtator të vitit 2016, kur u arkëtuan 3 milionë e 943 mijë euro.

Risia për derbin e Milanos është se ajo do të zhvillohet në orën 12:30 dhe kjo ka bërë që të rritet më shumë interesi në arenën ndërkombëtare, sidomos në Kinë, kjo edhe për faktin se biznesi i vendit aziatik është i përfshirë në “kolonizimin” e të dy klubeve milaneze.

Sipas të dhënave të publikuara nga Lega Serie A, ndeshja Inter-Milan do të ndiqet në ekrane nga 862 milionë shikues në mbarë botën dhe mund të bëhet sfida më e transmetuar në histori, falë 39 kanaleve televizive që kanë fituar të drejtën për të.

Top Channel