Milani i ri, mes rinovimeve dhe merkatos

14/04/2017 00:00

Praktikat e kalimit të pronësisë së Milanit në duart e sipërmarrësve kinezë më në fund u mbyllën dhe tani tifozët po presin lëvizjet e drejtuesve të rinj të klubit.

Fassone dhe Mirabelli do të jenë ata që do të merren kryesisht me administrimin e klubit, i pari në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm, ndërsa Mirabelli do të jetë Drejtori Sportiv.

Detyra e parë e këtyre personaliteteve të klubit kuqezi është zgjidhja e çështjes së rinovimeve dhe më i rëndësishmi është ai i portierit Gianluigi Donnarumma, duke parë se prej kohësh agjenti i tij ka dërguar mesazhe paralajmëruese, duke i kërkuar Milanit garanci.

Një tjetër problem që duhet të zgjidhin kuqezinjtë është ai i trajnerit Vincenzo Montella, i cili në konferencën për shtyp në prag të derbit me Interin dha mesazhin e tij, nëpërmjet të cilit ai do të kërkojë që të kuptojë ambiciet e drejtuesve të rinj të Milanit.

Te Milani ka punë për t’u bërë edhe për kontratat e Susos e De Sciglios, ndërkohë që nuk mbetet pas as rasti Deulofeu, i ardhur me huazim nga Evertoni. Për këtë të fundit, Milani duhet të tregojë kujdes ndaj Barcelonës, që ka shfaqur interesin për riblerjen e futbolllistit të krijuar në akademinë e saj.

Merkatoja e transferimeve është një tjetër aspekt me të cilin duhet të përballen drejtuesit e Milanit. Kuqezinjtë kanë vendosur disa objektiva në këtë aspekt dhe spikasin emrat e Fabregas, Aubameyang dhe Keita, ndërkohë që po monitorohen edhe Pellegrini, Kolasinac e Musacchio.

Top Channel