Gabriel, në Kosovë dhe Serbi: Përkrahje për BE-në

14/04/2017 08:55

Brenda 24 orëve, Sigmar Gabriel vizitoi Serbinë e Kosovën dhe të hënën mbërrin në Tiranë. Gjatë ndalesave të tij, ministri i Jashtëm gjerman përcolli mesazhin se këto vende kanë mbështetjen e qartë të Berlinit në rrugën drejt BE-së.

“Ky nuk është thjesht pozicioni i Gjermanisë, – u kujdes të sqaronte Gabriel, – por një qëndrim i mbarë bllokut”.

“BE-ja e ka të qartë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga reformimi i këtyre vendeve dhe nga fakti që ato të kenë një perspektivë anëtarësimi. Ne duam që një perspektivë e tillë t’i mbajë nën kontroll emocionet e vjetra të vështira nacionaliste, të cilat kanë çuar deri te dhuna. Për këtë arsye, porta e Bashkimit Europian duhet mbajtur hapur”, tha Sigmar Gabriel.

“Këtë e kanë të qartë edhe europianë të tjerë, – tha Gabriel për “DW”, – sepse në rast të kundërt mund të kemi sërish një vatër zjarri në kufi të Europës. Bindja ime – vazhdon ministri, – është se kur e dimë që anëtarësimi në BE do të zgjasë, duhet që gjatë kësaj periudhe blloku të ndihmojë për përmirësimin e jetës në rajon, duke nisur nga mbështetja e projekteve të infrastrukturës”.

“Këtu mendohet prej vitesh për ndërtim autorstradash të vogla, kur në fakt ndërtohen vetëm pak kilometra, gjë që nuk është e mjaftueshme. Ka shumë gjëra që mund të bëhen, të cilat nuk lidhen patjetër me anëtarësimin në BE, por që mund t’u përmirësojnë shumë jetën njerëzve”, tha Gabriel.

Mesazhi që përcjell shefi i diplomacisë gjermane gjatë këtij turi është se, rruga e anëtarësimit në BE mbetet e hapuar, për sa kohë vendet e rajonit vazhdojnë përparimin dhe zbatimin e reformave.

Top Channel