Siri, zhvendosen 30 mijë banorë nga zonat e luftës

14/04/2017 08:45

Një javë pas sulmit amerikan me raketa në Siri, trupat e regjimit të Bashar al-Assadit dhe forcat rebele nisën operacionin e evakuimit të banorëve nga 4 qyteza të rrethuara.

Njerëzit e zhvendosur nga Foa dhe Kefraja, të ndodhura nën kontrollin qeveritar, kanë mbërritur tashmë në perëndim të Alepos. Lëvizja e banorëve ka nisur edhe në Madaja dhe Zabadanin e rrethuar nga ushtarët e Asadit.

Më shumë se 30 000 vetë duhet të evakuohen në bazë të marrëveshjes së arritur mes dy palëve. Muajin e kaluar, OKB-ja e përshkroi si “katastrofike” situatën në të 4 qytezat ku më shumë se 64 000 civilë kishin mbetur, sipas saj, të bllokuar në një rreth vicioz dhune të përditshme e vështirësish të mëdha.

Shumë persona raportohet të kenë humbur jetën vetëm nga mungesa e ushqimit apo ilaçeve.

Top Channel