SHBA lëshon “superbombën” jobërthamore mbi Afganistan

13/04/2017 00:00

Ushtria amerikane ka hedhur bombën më të fuqishme jobërthamore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Afganistan gjatë kësaj të enjteje, duke shënuar kështu herën e parë që përdoret një armë e tillë në një betejë, sipas zyrtarëve amerikanë.

Bomba e llojit “GBU-43/B” (Massive Ordnance Air Blast Bomb MOAB), e mbiquajtur edhe si “nëna e të gjitha bombave” është lëshuar rreth orës 19:32 me orën lokale. Një bombë e tillë MOAB është 9 metra e gjatë, rreth 9.800 kg dhe e kontrolluar me anë të “GPS”-it.

Presidenti Donald Trump e quajti “një tjetër punë të kryer me sukses” më vonë. Bomba është hedhur nga një avion “MC-130”, i vendosur në Afganistan dhe që operohet nga Komanda e Operacioneve Speciale të Forcave Ajrore, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Adam Stump, për CNN.

Zyrtarët ushtarakë thanë se objektivi ishte një shpellë e Shtetit Islamik, një kompleks tunelesh dhe personeli i grupit xhihadist në rajonin Achin të provincës Nangarhar.

“Shtetet e Bashkuara e marrin tejet seriozisht luftën kundër ISIS dhe, në mënyrë që ta mposhtin grupin, ne duhet t’u mohojmë atyre hapësirat për të vepruar. Gjë të cilën e kemi bërë edhe sot”, tha më vonë në një konferencë për shtyp Sekretari i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer. “Goditja kishte për shënjestër një rrjet tunelesh dhe një shpellë, që luftëtarët e Shtetit Islamik e përdornin për të lëvizur lirshëm nga një rajon në tjetrin”.

Megjithatë, zyrtarë në Ministrinë e Brendshme afgane dhe ata të qeverisë provinciale të Nangarharit thanë për CNN se nuk kishin ende dijeni për lëshimin e kësaj bombe.

Trump refuzoi të thoshte nëse ishte vet ai personalisht që kishte urdhëruar sulmin, por komentoi se “kushdo e di me saktësi se çfarë ndodhi. Kështu që, ajo që bëj unë është të autorizoj ushtrinë tonë”. Më tej, ai shtoi se “ne i kemi dhënë autorizim të plotë për të vepruar, ndaj ata vepruan”.

Presidenti u ka dhënë komandantëve ushtarakë liri të gjerë për të vepruar në mënyrë të pavarur në disa fushëbeteja, ku janë aktualisht të përfshira forcat amerikane, gjë që Trump e ka cilësuar si “diçka që bën diferencën” në luftën ndaj ISIS.

Gjatë fushatës presidenciale, Trump u angazhua se do ta zhdukte nga rrënjët Shtetin Islamik, duke thënë se do t’i bombardonte aty ku i dhembte më shumë grupit xhihadist.

Gjenerali John Nicholson, komandant i forcave amerikane në Afganistan, ishte ai që firmosi përdorimin e bombës, sipas disa burimeve. Autorizimi për të vënë në përdorim këtë armë i është dhënë Nicholsonit nga komandanti i Komandës Qendrore amerikane, gjenerali Joseph Votel.

Kjo është edhe hera e parë që një bombë “MOAB” përdoret në një luftë. Ajo është zhvilluar gjatë luftës së Irakut dhe përbëhet nga një kokë shpërthyese që sjell për pasojë një shpërthim të fuqishëm.

Dëmet dhe fakti nëse nga kjo bombë është vrarë ndonjë person mbeten ende të paqarta, por ushtria amerikane është duke vlerësuar pasojat. Rajoni Achin është qendra kryesore e aktivitetit të ISIS në Afganistan. Një ushtar i Forcave Speciale të ushtrisë amerikane është vrarë gjatë luftimeve me grupin terrorist ditën e shtunë.

Top Channel