Bllokoi rezolutën kundër Sirisë, zemërim ndaj Rusisë

13/04/2017 00:00

Rusia ka vendosur veton mbi një projektrezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që dënonte sulmin me armë kimike javën e kaluar në Siri, si dhe kërkonte që Damasku të bashkëpunonte me hetuesit.

Rezoluta u paraqit nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, që reaguan ashpër ndaj vetos së Rusisë. Kjo është hera e 8, që Rusia mbron aleatin e saj në Këshillin e Sigurimit. Sulmi i dyshuar me armë kimike në qytetin e kontrolluar nga rebelët, Khan Shaykhun, më 4 prill u mori jetën më shumë se 80 personave.

Aleatët perëndimorë fajësojnë qeverinë siriane të Bashar al-Assadit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi një sulm me raketa kundër një baze ajrore siriane, si kundërpërgjigje.

Ndërkohë, rezoluta e propozuar mbështeste një hetim në terren nga Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike. Qeveria siriane do të duhej të jepte informacione ushtarake, duke filluar që nga dita e sulmit, dhe të lejonte qasje në bazat ajrore.

Kina, një nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, gjithashtu me të drejtë vetoje, abstenoi në votim, siç bënë edhe Etiopia dhe Kazakistani. 10 vende të tjera votuan pro rezolutës, ndërsa Bolivia iu bashkua Rusisë duke votuar kundër.

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikky Haley dënoi veprimin e Rusisë. “Ju po izoloni veten nga komuniteti ndërkombëtar, sa herë që një prej avionëve të Assadit hedh një bombë mbi civilët dhe sa herë që Assadi përpiqet të çojë një tjetër komunitet drejt vdekjes”, tha ajo.

Top Channel