Imazhet satelitore: Koreja, përgatitje për test të ri bërthamor

13/04/2017 00:00

Koreja e Veriut po përgatitet të kryejë një test të ri bërthamor, duke sfiduar kështu presidentin amerikan, Donald Trump, që nuk ka përjashtuar mundësinë e aksioneve ushtarake për ta detyruar regjimin të heqë dorë nga armët bërthamore dhe programet e raketave balistike.

Grupi i monitorimit “38 North”, me qendër në SHBA, tha të enjten se imazhet satelitore nga sajti “Pungye” në Korenë e Veriut tregonin se ai ishte gati për atë që mund të jetë testi i 6 bërthamor i vendit që nga viti 2006.

Zyrtarët koreano-jugore, sidoqoftë, pakësuan spekulimet se një test bërthamor mund të mbahet tani shpejt. “Nuk ka pasur aktivitet të pazakontë deri më tani”, tha një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në Korenë e Jugut.

Mundësia që udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, të sfidojë sërish opinionin ndërkombëtar është përforcuar, që kur Peniani kreu një seri testesh raketore më herët këtë vit, ndërsa përpiqet të perfeksionojë një armë bërthamore që mund të godasë territorin amerikan.

Gazetarët e huaj në Korenë e Veriut thanë të enjten se u ishte thënë se duhet të përgatiteshin për një ngjarje të madhe dhe të rëndësishme. Rreth 200 gazetarë, mes të cilëve edhe disa nga Japonia dhe SHBA, janë në Penian, ndërsa vendi përgatitet të festojë 105-vjetorin e lindjes së themeluesit Kim Il-sung.

Disa ekspertë, madje, besojnë se regjimi po planifikon një lëshim raketash apo test bërthamor, që të koinçidojë me këtë përvjetor, një datë e shënuar kjo në kalendarin e Koresë së Veriut, e njohur në vend si “Dita e Diellit”.

Top Channel