Vllaznia nuk falimenton, bordi tregon “muskujt” financiarë

13/04/2017 00:00

“Lajmi që Vllaznia ka falimentuar është gënjeshtër, këtë e vendos gjykata”, thotë Mark Laloshi, anëtar bordi, “KF Vllaznia”.

Vllaznia gëzon një formë të mirë sportive dhe financiare dhe lajmet  fundit për falimentim janë thjesht akuza dashakeqe për një ekip që është kaq pranë objektivit të kupave europiane.

“Për fat të keq, që përqendrimi ynë maksimal të ishte në përqendrimin e mëtejshëm të rezultateve sportive, përballemi çdo ditë me lajme që në mënyrë të qëllimshme interpretohen shtrembër. Njerëzit që nuk e duan Shkodrën dhe Vllazninë mesa duket nuk po e durojnë dot ecurinë pozitive të skuadrës tonë”, thotë Astrit Gjyrezi, administrator i Vllaznisë.

Për drejtuesit e klubit Vllaznia, ky sezon ka buxhetin më të madh të akorduar nga një bashki për futbollin, e kjo reflektohet edhe në arritjet e ekipeve zinxhir.

“Vllaznia ka buxhetin më të madh që një bashki mund të ketë marrë që prej kohës kur drejtohet nga bashkia dhe sot ajo ka rezultatet më të mira sportive”, thotë Gjyrezi.

Drejtuesit e klubit kuqeblu mohuan parregullsitë në kontratat e stafit dhe lojtarëve, duke nënvizuar se ato janë hartuar në bazë të ligjeve shqiptare.

Top Channel