Koreja e Veriut “vallëzon” në “gojën e ujkut”

13/04/2017 00:00

Udhëheqës të botës së lirë, diktatorë apo diçka e mesme, të gjithë politikanët e planetit kanë një gjë të përbashkët: presin shirita si formë dërgimi mesazhesh.

Kreu koreano-verior, Kim Jong-un nuk mund të gjente kohë më të mirë për të përuruar një zonë të re urbane në kryeqytetin Penian, një projekt i përbërë nga një rrugë e re dhe disa qiellgërvishtëse, që do të shërbejnë si banesa dhe biznese.

Me këtë zhvillim të ri, Kim Jong-un i tregon popullit koreano-verior, por edhe botës, se vendi ka rezistencë të madhe ekonomike, pavarësisht sanksioneve të shumta që i janë vendosur nga OKB-ja.

Njëkohësisht dërgon mesazhin se, pavarësisht thellimit të krizës në gadishullin korean, vendi komunist as që do t’ia dijë dhe është i përgatitur për gjithçka. Me mijëra njerëz morën pjesë në përurimin e drejtuar nga Kim Jong-un, i cili gjatë kohëve të fundit ka eksperimentuar me reformat ekonomike, përfshirë lejimin e një numri të kufizuar dyqanesh private në kryeqytet.

Sigurisht që Kim Jong-un përpiqet përmes propagandës dhe shfaqjeve të tilla, që të bindë popullin se askush s’mund t’i drejtojë si ai, ndërsa kriza me fqinjët e më gjerë vazhdon të thellohet.

Top Channel