Metamorfoza e Trump, seri kthesash 180 gradë

13/04/2017 00:00

Brenda pak orësh metamorfozash politike, presidenti Donald Trump braktisi qëndrime që ishin gurët e themelit të fushatës së tij elektorale.

Mbase kthesa më e rëndësishme prej 180 gradësh e Trump ishte ajo për NATO. Në vitin 2016, në vrullin e fushatës, Trump tronditi Europën dhe aleatët me komentet e tij për NATO-n, ndërsa tani e mendon ndryshe.

“Unë thashë se NATO ishte e vjetruar. Tani nuk është më e vjetruar”, tha Trump.

Një tjetër kthesë e fortë e Trump ishte ajo për Kinën, të cilën gjatë fushatës ai e akuzoi se është një vend që manipulon valutën, dëmton Amerikën në tregti dhe ndëshkimin e Pekinit e cilësoi prioritet. Por gjatë takimit me homologun e tij kinez Xi Jinping në Florida, Trump pati vetëm fjalë të mira për të dhe raportet me Kinën.

Ndryshimi i radhës i presidentit Turmp ishte qëndrimi për Sirinë. Pak ditë më parë, SHBA kishte pranuar Bashar al Asad në pushtet dhe as që donte t’ia dinte se ç’ndodhte në Siri. Por një natë dhe disa bomba kimike më vonë, Trump bombardoi Sirinë dhe cilësoi Bashar al Asadin një kasap me të cilin Siria nuk ka të ardhme.

kthesa e katërt dhe mbase më e dhimbshme për Trump ishte ajo mbi Rusinë, për të cilën shprehu të gjithë dashurinë e mundshme gjatë fushatës, ndërsa tha se me Putin do të kishte raporte të shkëlqyera.

Por tashmë, vetë me gojën e tij Trump pranoi se raportet me Rusinë nuk ishin aspak të mira, madje zor se kishin qenë në një pikë kaq të ulët.

Shumë presidentë kanë thënë më parë se bota duket shumë ndryshme nga zyra ovale se nga fushata. Por në rastin e Trump duket sikur fushata nuk ka ndodhur fare, ndërsa ai vrapoi të përqafojë politikën tradicionale dhe pozicionet kombëtare të sigurisë që dikur kritikonte publikisht.

Top Channel