Drogba kthehet në SHBA, lojtar e aksioner te Phoenix

13/04/2017 00:00

Didier Drogba e ka të vështirë të heqë dorë nga futbolli i luajtur. Në moshën 39-vjeçare, ish-sulmuesi i Chelsea është kthyer në futbollin amerikan për të nënshkruar me Phoenix Rising, skuadër që është pjesë e divizionit të dytë të kampionatit të këtij vendi, United Soccer League.

E veçanta në këtë transferim të Drogba është se futbollisti do të jetë edhe aksioner i klubit. Fillimisht, futbollisti nga Bregu i Fildishtë do të ndihmojë skuadrën e Phoenix në fushën e lojës, për të marrë më pas një rol drejtuesi në klub. Detajet e kontratës së Drogba me Phoenix nuk bëhen publike për shkak të politikës së klubit,  por edhe të United Soccer League.

Drogba më parë ka qenë pjesë e skuadrës së Montreal Impact, në Major League Soccer, duke shënuar 21 gola në 33 ndeshje të zhvilliara në 2 sezone, ndërkohë që statistikat më të mira i ka shënuar me fanelën e Chelsea. Drogba u aktivizua me “Blutë” e Londrës për 9 sezone, duke shënuar 164 gola në të gjitha aktivitetet, për tu bërë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës në fitimin e titullit kampion në Angli dhe të Ligës së Kampioneve.

Top Channel