Juve rinovon deri më 2022 me Dybala

13/04/2017 00:00

Paraqitja e shkëlqyer e Dybala dhe veçanërisht ajo ndaj Barcelonës, ka bërë që sulmuesi argjentinas të përfundojë në krye të listës së dëshirave të klubeve më të mëdha europiane.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit të Juventusit kanë nxituar të rinovojnë kontratën me djaloshin argjentinas, me qëllim që të vështirësojë transferimin e tij në ndonjë klub tjetër, ose në rastin më të keq, të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij.

Kontrata e re e Dybala dhe Juventus do t’i mbajë palët të lidhura edhe për pesë vite të tjera, pra deri në vitin 2022.

Në kontratën e re, kanë ndryshuar edhe termat financiare, pasi tashmë sulmuesi argjentinas do të përfitojë një pagesë prej 7.5 milionë eurosh në sezon dhe nuk është përcaktuar asnjë klauzolë shitjeje, që do të thotë se klubet e interesuara për Dybala, duhet të negociojnë me Juventusin.

Në orët e ardhshme pritet të bëhet edhe komunikimi zyrtar i kontratës së re mes bardhezinjve dhe sulmuesit Paolo Dybala.

Forma e mirë e sulmuesit argjentinas ka zgjuar interesin e shumë klubeve, veçanërisht të spanjolleve Real dhe Barcelona. Madje, mediat spanjolle shkojnë edhe më tej, kur flasin për një ofertë zyrtare të Fiorentino Perez, për të afruar Dybalën në merkaton e kësaj vere.

Top Channel