Trump bën kthesë për NATO-n: Jo më një organizatë demode

12/04/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se NATO nuk është më një organizatë e dalë nga përdorimi, duke tërhequr atë të bërë pak kohë më parë, kur dhe alarmoi aleatët.

Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Trump tha se kërcënimi nga terrorizmi ka nxjerrë në dukje rëndësinë e Aleancës.

“Thash që ishte e dalë nga përdorimi, epo tani nuk është më”, tha Trump.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Stoltenberg, Trump tha: “Sekretari i përgjithshëm dhe unë patëm një bisedë produktive për atë se çfarë mund të bëjë më shumë NATO në luftën kundër terrorizmit”.

“Unë vërtet u ankova për të kohë më parë. Por ata e bënë ndryshimin dhe tani e luftojnë terrorizmin”, tha ndër të tjera Trump.

Megjithatë, presidenti përsëriti apelet për vendet anëtare që të kontribuojnë më shumë për Aleancën.

“Nëse vendet e tjera paguajnë pjesën e tyre në vend që të mbështeten tek SHBA, atëherë të gjithë mund të jemi më të sigurtë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Por deklarata për NATO-n nuk ishte e vetmja kthesë drastike e Trump këtë të mërkurë.

Në një intervistë për “Wall Street Journal” ai tha se nuk do ta etiketonte Kinën si një manipuluese të valutës, pavarësisht se ishte zotuar se do të bënte një gjë të tillë sapo të merrte detyrën.

Top Channel