Zhgënjen Bayern Munich, e mposht Ronaldo

12/04/2017 00:00

Finalja e parakohshme e Champions League, Bayern Munich-Real Madrid ka sjellë ashtu siç pritej spektakël në fushë, gola, penallti, kartona e përmbysje.

Por ashtu si çdo finale ka pasur shumë të papritura dhe ajo që nuk pritej ndodhi. Real Madrid ka përmbysur rezultatin në fraksionin e dytë të ndeshjes.

Në të 25’ Arturo Vidal kaloi në avantazh vendasit, por në përfundim të pjesës së parë humbi një shans të artë për të dyfishuar rezultatin duek gabuar nga pika e bardhë e penalltisë.

Ndryshe nga ai, Cristiano Ronaldo tregoi edhe njëherë përse vlerësohet si lojtari më i mirë në botë, duke përmbysur rezultatin në 1-2 në harkun e 30 minutave të pjesës së dytë.

Goli i barazimit ka ardhur pak pas startimit të pjesës së dytë, duke risjellë kështu edhe balancat në fushë. Por balancat u prishën në të 61, kur Martinez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë kështu me 10 lojtarë gjermanët. Të favorizuar nga epërsia numerike, spanjollët janë hedhur në sulm në kërkim të golit të fitores, gol i cili ka ardhur në të 77.

Goli i dytë për portugezin në mbrëmjen e sotme, nuk i ka dhënë thjesht fitoren “Galaktikëve”, por ka shënuar edhe një rekord personal dhe historik në Champions League për Cristiano Ronaldo, golin e tij të 100 në Europë.

Duket se kjo nuk ka qenë dita e gjermanëve, pasi edhe Borussia Dortmund u mposht në shtëpi nga Monaco me rezultatin 2-3. Kujtojmë se Borussia Dortmund-Monaco ishte parashikuar të luhej një ditë më parë, por u shty për shkak të 3 shpërthimeve pranë autobusit të Dortmund.

Ndërkohë që për spanjollët ka qenë një ditë e mbarë, kjo jo vetëm për fitoren në transfertë të Real Madrid në Allianz Arena, por edhe ekipi tjetër i Madridit, Atletico Madrid ka dalë triumfues, duke mposhtur në shtëpi 1-0 Leicester.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel