SHBA-Rusi, Tillerson: Lidhjet në nivel të ulët, t’i përmirësojmë

12/04/2017 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson deklaron se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë janë në një pikë të ulët dhe duhet të përmirësohen.

Pas 2 orë bisedime me presidentin Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov në Moskë, Tillerson tha se “dy fuqitë më të mëdha bërthamore nuk mund të kenë të tilla marrëdhënie”.

Edhe pse u gjet pak terren i përbashkët për çështjen e Sirisë, tha Tillerson, diferencat mbeten të mëdha. Në të njëjtat linja, ministri Lavrov deklaroi se dy palët duhet të tejkalojnë tensionet e trashëguara nga administrata e mëparshme e presidentit Barack Obama.

Dy shefat e diplomacive thanë njëzëri se diskutimet mes tyre ishin të hapura. “Unë shpreha këndvështrimin tim se gjendja aktuale e marrëdhënieve SHBA-Rusi është në një pikë shumë të ulët. Ka një nivel të ulët besimi mes dy vendeve tona”, tha Tillerson.

Ai shtoi se, “duhet të përpiqemi t’i japim fund këtij degradimi të vazhdueshëm, që nuk po bën asgjë për të rivendosur besimin mes nesh, apo të çojë përpara çështje me interes të përbashkët”.

Ndërsa Lavrov tha se një bisedë pragmatike duhet për të larguar “acarimet që lindën nën drejtimin e administratës Obama”.

Të dy ministrat u shprehën se ka marrëveshje për të punuar së bashku për një Siri të qëndrueshme dhe të bashkuar, për të mposhtur Shtetin Islamik dhe grupet e tjera terroriste.

Gjithashtu, ata ranë dakord për një hetim ndërkombëtar të sulmit me armë kimike, por, siç raporton BBC, dukej qartë që diferencat ishin të mëdha.

Top Channel