Turqi, sulmi në Diyarbakir nga “eksplozivët e vendosur në tunel”

12/04/2017 00:00

Shpërthimi i fuqishëm në qytetin turk të Diyarbakirit, që fillimisht u duk të ishte thjesht një aksident, tashmë sipas ministrit të Brendshëm ka qenë si rezultat i një sulmi terrorist.

Suleyman Soylu tha për “Turkish TV” se një sasi eksplozivi ishte vendosur në një tunel të hapur poshtë selisë qendrore të policisë. Tre persona humbën jetën nga shpërthimi i së martës në qytetin juglindor të dominuar nga kurdët.

Askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë, por militantët kurdë kanë kryer edhe në të kaluarën sulme të ngjashme.

Turqia, ndërkohë, është vetëm 4 ditë larg votimit kyç në referendumin për t’i dhënë presidentit Recep Tayyip Erdogan më shumë pushtet.

Diyarbakiri është tronditur shpesh nga militantët kurdë, të cilët kanë vënë në shënjestër shërbimet e sigurisë dhe ato të policisë, por shpërthimi i së martës ishte i pazakontë dhe krijoi një krater të madh, duke bërë edhe më kuriozë kalimtarët.

“Rezulton se shpërthimi ka qenë si rezultat i një sulmi terrorist”, tha Soylu, i cituar nga televizioni “Haberturk”. “Sulmi është kryer përmes një tuneli të gërmuar nga jashtë. Autorët kishin vendosur eksploziv nëntokë”.

Por ai shtoi se ndërtesat përreth selisë së policisë inspektoheshin thuajse një herë në muaj, ndaj dhe tuneli mund të jetë hapur me shpejtësi në kohët e fundit.

Të martën, Soylu tha se shpërthimi kishte ndodhur nga një automjet që po riparohej dhe se dukej të ishte thjesht një aksident.

Top Channel