Frika nga sulmet, rritet siguria në Mynih përpara Bayern-Real

12/04/2017 00:00

Tri shpërthimet e ndodhura pranë autobusit të Borussias së Dortmundit në prag të sfidës me Monacon, ndezën sinjalet e alarmit në Mynih, ku sot në mbrëmje do të zhvillohet një tjetër sfidë, ajo mes Bayern Munchen dhe Real Madrid.

Edhe pse për momentin nuk ka asnjë tregues apo dyshim për ndonjë sulm të mundshëm, policia bavareze vendosi të rrisë numrin e efektivëve të përcaktuar për masat e sigurisë së kësaj ndeshjeje.

Kështu, nuk do të jenë 370, por 450 agjentë policie që do të ngarkohen për të ruajtur sigurinë e kësaj ndeshjeje dhe, në këto momente, ata gjenden pranë hoteleve ku janë akomoduar të dy ekipet.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet transportit në drejtim të stadiumit “Allianz Arena” të futbollistëve dhe stafeve teknike të Bayernit e Realit. Për këtë është menduar ndryshimi i itinerarit të skuadrave në drejtim të stadiumit, ndërkohë që autobusët e tyre do të shoqërohen edhe nga automjete të policisë.

Top Channel