Arsim dhe sport, përurohen ambientet e reja në Sauk

12/04/2017 00:00

Bashkia e Tiranës është fokusuar në krijimin e ambienteve të reja sportive në shkollat e kryeqytetit, por edhe në zonat rurale. Një prej tyre është përuruar në shkollën 9-vjeçare “Ibrahim Brahja”, në Sauk, prej kryebashkiakut Veliaj.

“Kur të nisë shtatori, jo vetëm do të kemi 4 shkolla të reja në Tiranë, por do të kemi nisur edhe ndërtimin e 17 të tjerave, e do të sigurohemi që të vëmë dorë në secilën prej shkollave ekzistuese, nga Shëngjergji deri në ish-Bllok”, tha Veliaj.

Veliaj shtoi se Tirana po ecën më shpejt në të gjithë territorin e saj, e ndryshimi ndihet me ndërhyrjet e bëra, të cilat kanë rritur mirëqenien e banorëve.

“Kush punon shpërblehet dhe nuk ka rëndësi nga vjen, si e ke mbiemrin, sa i vogël është vendi yt dhe sa modeste është ekonomia jote. Një njeri që punon shpërblehet, ose në karrierë, ose në sport apo në talent”, tha kreu i bashkisë, duke shtuar se mes punës dhe llafeve, Bashkia ka zgjedhur punën.

“Ka sot një betejë të vërtetë në Shqipëri, ndonjëherë edhe politike, por në thelb të betejës është puna apo llafet. Më vjen mirë që është puna ajo ku jemi fokusuar dhe, në qoftë se edhe brezin e ri e fokusojmë te puna, është mënyra më e mirë sesi të ecim përpara”, deklaroi Veliaj.

Top Channel