Putin: Po planifikohen sulme kimike në Siri, për të fajësuar Assadin

12/04/2017 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi se forca misterioze brenda Sirisë po planifikojnë sulme me armë kimike, për të cilat synojnë që të fajësojnë regjimin sirian.

“Kemi informacione nga disa burime se, provokime të tilla po përgatiten në zona të tjera të Sirisë, përfshirë rrethinta jugore të Damaskut”, deklaroi Putin, i pyetur nga gazetarët për mundësinë e sulmeve të tjera amerikane ndaj Sirisë.

Putin tha se këto forca të panjohura po planifikojnë që të vendosin substanca të caktuara në disa zona të vendit, por pa dhënë detaje të tjera.

Udhëheqësi i Kremlinit shtoi se do t’i kërkojë Hagës dhe komunitetit ndërkombëtar që të hetojë këto pretendime. Presidenti rus sugjeroi gjithashtu se Rusia dhe Siria po demonizohen për qëllime politike,  ndërsa të gjitha vendet europiane që sulmuan Trumpin gjatë fushatës, tani duan të bëhen miq me të.

Ai deklaroi se Rusia është e gatshme ta durojë këtë situatë për një farë kohe, me shpresën se do të sjellë trende pozitive bazuar në bashkëpunim. Putin nuk harroi të bënte një krahasim me luftën e Irakut në vitin 2003, kur ai tha Shtetet e Bashkuara përdorën të njëjtën taktikë me akuzat për armë të shkatërrimit në masë dhe të gjithë e dinë sesi shkoi.

Top Channel