Skulptori i demit të “Wall Street”-it akuzon qytetin e Nju Jorkut se ka shkelur të drejtat e tij të garantuara nga ligji, duke lejuar statujën e vajzës trime të vendoset përballë bishës së bronztë pa lejen e tij.

Skulptori i lindur në Itali, Arturo Di Modica tha se, prania e vajzës shkel të drejtën e tij të autorit, pasi ndryshon dinamikën krijuese të tij.

Zyrtarët e Nju Jorkut kanë lejuar statujën e vajzës të qëndrojë në shesh deri në shkurt të vitit 2018. Skulptura e artistes Kristen Visbal u vendos në një rrethrrotullim në afërsi të “Wall Street”-it më 7 mars, në prag të Ditës ndërkombëtare të Gruas, për të nënvizuar se ka mungesë të femrave në bordet e korporatave më të mëdha amerikane.

Vajza që qëndron para demit gjigant pa u frikësuar prej tij, u shndërrua në një magnet për turistët, duke tërhequr vëmendje globale në mediet sociale, ndërsa vizitorët pozonin për foto.

Duke reaguar pas peticioneve me mijëra forma që statuja të qëndrojë më gjatë, kryebashkiaku Bill de Blasio lajmëroi se ajo do të qëndrojë në vend edhe një vit më gjatë.

Autori i demit e ka quajtur statujën një “truk publicitar” të krijuar nga dy korporata gjigante, “State Street Global Advisors” dhe “McCann”.

Ishte një kohë kur demi i famshëm ishte në një pozicion të ngjashëm me atë të vajzës, në pritje të lejes së autoriteteve. Di Modica e instaloi statujën e bronztë përballë bursës së Nju Jorkut pas krizës së tregjeve financiare të vitit 1987, pa leje në mes të natës, si simbol i ringritjes financiare të Amerikës.

Qyteti reagoi ndaj kërkesave të publikut për lejimin e statujës në zonën financiare, disa hapa larg nga “Wall Street”-i.

Top Channel