Europa i përulet Juventusit. Një “makineri” perfekte

12/04/2017 00:00

Europa gjunjëzohet përballë Juventusit. “Zonja e vjetër” iu imponua Barcelonës, duke e mposhtur pastër me rezultatin 3-0 e duke u konfirmuar si një superfuqi e futbollit, jo vetëm në Itali, por edhe në kontinent.

E gjithë kjo ka ardhur nga puna e madhe e kryer në klubin torinez, për të cilën nuk mund të shprehet gjë tjetër veçse admirim. Ato që e përforcojnë edhe më shumë këtë fakt janë statistikat, të cilat flasin për një Juventus praktikisht të padepërtueshëm në mbrojtje dhe “vrasës” në sulm, e që për momentin mund të përkufizohet një “makinë perfekte”.

Juventusi është skuadra e pestë që ka pësuar vetëm 2 gola në 9 ndeshje të një sezoni në Champions League. Katër skuadrat e tjera që kanë arritur një statistikë të tillë kanë arritur deri në finalet e kompeticionit.

Paulo Dybala ishte mbreti i fushës së lojës në sfidën e së martës. Argjentinasi, që mposhti bashkëkombasin e tij Lionel Messi, numëron 16 gola në këtë sezon, 14 nga të cilat i ka shënuar në “Juventus Stadium”.

Ajo me Barcelonën ishte ndeshja e 33-të për Juventusin, që shënon të paktën një gol, gjë që kampionëve të Italisë nuk u ndodhte që nga marsi i vitit 2006. “Juventus Stadium” është një fortesë e vërtetë për “Zonjën e vjetër”, që nuk njeh humbje në këtë fushë në 48 ndeshje zyrtare, duke shënuar një bilanc me 42 fitore dhe 6 barazime. Humbja e fundit në shtëpi për Juventusin është ajo e pësuar ndaj Udinezes në gusht të vitit 2015.

Top Channel