Kina kërkon zgjidhje paqësore: Koreja të frenohet, për të mirën e saj

12/04/2017 00:00

Presidenti kinez, Xi Jinping ka propozuar një zgjidhje “paqësore” të tensioneve në lidhje me Korenë e Veriut, teksa sipas asaj që thotë media shtetërore, ka biseduar në telefon me presidentin amerikan, Donald Trump.

Ky i fundit, të martën shkroi në “Twitter” se Shtetet e Bashkuara nuk i frikësohen veprimit të njëanshëm ndaj Koresë së Veriut, nëse Kina nuk do të donte të ndihmonte.

Tensionet janë rritur së tepërmi në gadishullin korean, pas dërgimit atje të një grupi goditës të Marinës amerikane të kryesuar nga aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson”. Koreja e Veriut reagoi me irritim ndaj këtij veprimi, duke shtuar se do të mbrohej edhe me përdorimin e forcës nëse do të nevojitej.

Xi dhe Trump u takuan fundjavën e kaluar në resortin privat të presidentit amerikan në Florida, ku diskutuan mbi Korenë e Veriut, mes çështjeve të tjera. Telefonata, që ka ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure sipas rrjetit televiziv kinez “CCTV”, nuk është detajuar nga Shtëpia e Bardhë.

Gjatë bisedës, Xi ka konfirmuar se Kina “është e angazhuar të denuklearizojë gadishullin korean, të jetë ruajtës i paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të nxisë zgjidhjen e problemeve përmes mënyrave paqësore”, raporton “CCTV”.

Lajmet e publikuara nga media kineze “Global Times” mëngjesin e sotëm i bënin thirrje Koresë së Veriut të vetëpërmbaheshin dhe të synonin paqen, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë aspak në plan të bashkëekzistojnë me një Penian të pajisur me armë bërthamore.

“Peniani mund të vijojë me qëndrimin e ashpër, gjithsesi, për të mirën e sigurisë së saj, të paktën duhet të ndalojë aktivitetet provokuese raketore dhe bërthamore. Peniani duhet të shmangë bërjen e ndonjë gabimi në këtë kohë tensionesh”.

Top Channel