Shpërthimet në Dortmund, policia heton pistën “islamike”

12/04/2017 00:00

Policia gjermane po heton pistën e mundshme të një sulmi islamik, pas bombave të vendosura ndaj autobusit të ekipit të Dortmundit mbrëmjen e djeshme, sipas asaj që informojnë mediet gjermane.

Një letër e gjetur pranë vendngjarjes kishte referenca me sulmin në tregun e Krishtlindjes në Berlin, dhjetorin e kaluar, si dhe me operacionet ushtarake në Siri. Megjithatë, ende nuk është qartësuar nëse letra është pikërisht e lidhur me shpërthimet e djeshme.

Mbrojtësi spanjoll i Dortmundit, Marc Bartra iu nënshtrua një operacioni, pas thyrjes së një kocke në dorën e tij, ndërsa futbollistët e tjerë nuk u lënduan nga shpërthimet.

Gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung” thotë se letra, e cila fillon me frazën “në emër të Allahut”, përmendte përdorimin e avionëve gjermanë “Tornado” në ofensivën e koalicionit që po lufton Shtetin Islamik. Ishte pikërisht ISIS, ai që mori përsipër sulmin në tregun e Krishtlindjes në Berlin.

Por ekziston edhe mundësia që autorët e ngjarjes të jenë duke u përpjekur të drejtojnë në mënyrë të gabuar hetimet, raporton “Suddeutsche Zeitung”, që shton se ekspertët po analizojnë letrën e gjetur. Prokurori federal i Gjermanisë, i cili ka përgjegjësinë për të hetuar krimet e lidhura me terrorizmin, ka marrë frerët e këtij hetimi.

Por çfarë ndodhi mbrëmjen e djeshme? Autobusi me lojtarët e Borussia Dortmundit ishte duke udhëtuar nga hoteli ku ishin akomoduar lojtarët për në stadiumin “Signal Iduna Park”, ku do të prisnin në takimin e parë të çerekfinaleve ekipin e Monacos, kur ndodhën 3 shpërthime eksplozivi gjatë rrugës.

Incidenti ndodhi në “Hoechsten”, në periferi të qytetit, rreth orës 19 me orën lokale. Pamjet nga vendngjarja treguan xhamat e autobusit të thyera dhe gomat të dëmtuara nga shpërthimet. Në një konferencë për shtyp, kreu i policisë së Dortmundit tha se ishte një sulm me në shënjestër ekipin e futbollit. Disa raportime thonë se eksplozivët ishin fshehur gardhet mbrojtëse të rrugës.

Përveç futbollistit Bartra, edhe një oficer policie që po shoqëronte autobusin u plagos. Ndërkohë, tifozët që thuajse e kishin mbushur stadiumin “Signal Iduna Park” me kapacitet 80 mijë vende u informuan për incidentin dhe më vonë u larguan të sigurtë nga stadiumi, pasi ndeshja u shty për ditën e sotme.

Edhe pse duket se sulmi ka qenë me motive islamike, ai nuk ka shumë të ngjashme me incidentet e së kaluarës të këtij lloji. Eksplozivët nuk ishin krijuar në mënyrë që të shkaktonin shumë dëme, siç ka ndodhur me rastet e tjera.

“Një mundësi që po hetohet është edhe fakti që mund të jetë një sulm nga ekstremistët e djathtë gjermanë. Dortmundi është prekur kohët e fundit nga dhuna apo huliganizmi pikërisht i ekstremistëve të djathtë. Në një rast të kohëve të fundit, atyre iu ndalua hyrja në stadiume, ndërkohë që masa u shoqërua me kërcënime për vdekje në muajin shkurt ndaj një trajneri”, thotë burime gjermane.

Letra e gjetur në vendgjarje po hetohet nëse është autentik dhe, teksa policia thotë se ajo është pikërisht një lloj marrjeje përgjegjësie, ende nuk jepen detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e saj. Ndeshja Dortmund-Monaco do të zhvillohet këtë të mërkurë në orën 18:45.

Top Channel