Më 4 qershor, miqësore Shqipëri-Luksemburg

11/04/2017 00:00

Me humbjen ndaj Italisë në Palermo tashmë të arkivuar dhe të harruar, pas rezultatit në fushë dhe problemeve me tifozët, kombëtarja shqiptare e futbollit ka rezervuar një tjetër datë në kalendar për një test miqësor.

Kuqezinjtë e trajnerit Gianni De Biasit do të zhvillojnë një përballje të profilit të ulët me Luksemburgun, më 4 qershor, ora 18:00.

Sipas qeverisë së futbollit shqiptar, ndeshja me rivalët modestë dhe më poshtë se kuqezinjtë në renditjen e FIFA-s do të jetë një test përpara ndeshjes kualifikuese për Botërorin “Rusi 2018”, përballjen Izrael-Shqipëri, që do të luhet në datën 11 qershor 2017.

Përfaqësuesja kuqezi ka zhvilluar në total 6 ndeshje me Luksemburgun dhe ajo e qershorit do të jetë e shtata.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve daton më 29 mars 2016, përballje që u zhvillua në transfertë dhe u mbyll 0-2 për Shqipërinë. Ekipi i Gianni De Biasit ndodhet në vendin e katërt në grupin G të kualifikueseve, me 6 pikë pas 5 ndeshjesh.

Top Channel