Kosovë, Selimi: Thaçi u tërhoq. FSK do të diskutohet në Bruksel

11/04/2017 00:00

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, gjatë seancës plenare të Kuvendit të kësaj të marte kërkoi dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi, pasi sipas tij premtoi transformimin e FSK-së, por një premtim të tillë nuk e mbajti.

Ai tha se Kosova nuk ka ushtri, pasi Qeverisë së Kosovës i ka munguar vizioni dhe vullneti për një gjë të tillë.

“Nuk luhet me sigurinë dhe sovranitetin Republikës së Kosovës. Të njëjtën gjë bëri edhe kohë më parë kur ishte kryeministër, kur solli në Kuvend amendamentet kushtetuese për FSK-në. Mirëpo ato i solli me qëllim që të dështojnë dhe të krijojnë vende të rezervuara për ‘Listën Serbe’”, tha ai.

Selimi shtoi se presidenti Thaçi ka tërhequr projektligjin për FSK-në për t’i hapur rrugë kësaj teme në Bruksel.

 “Thaçi po e rrezikon vendin, po ashtu ka vënë në rrezik edhe bashkëpunimin me aleatët strategjikë, siç janë NATO dhe SHBA. Ushtria i duhet Kosovës, por edhe NATO-s. Sikur Kosova të kishte ushtrinë e saj do të ishte mirë për NATO-n, sepse ajo do të merrte barrën e vet”, u shpreh Selimi.

Top Channel