Kosovë, përçahen serbët e “Listës Serbe”

11/04/2017 00:00

Transformimi i “Listës Serbe” nga një nismë qytetare në parti politike e ka vënë para përçarjes këtë subjekt politik, që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës në institucionet e vendit. Dy përfaqësues të saj, Slavko Simiç dhe Aleksandar Jablanoviç, kanë parashtruar secili më vete dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për regjistrimin e “Listës Serbe” si parti politike.

Javën e kaluar, brenda këtij subjekti politik janë shënuar përplasje, madje edhe në prani të medieve.

Por Slavko Simiç, deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili pretendon se kryeson “Listën Serbe”, duke folur për “Radion Europa e Lirë” ka shpjeguar se të premten e kaluar ka dorëzuar në KQZ dokumentacionin e nevojshëm për transformimin e nismës qytetare në parti politike, me emrin – siç e quan ai autentik, – “Lista Serbe”.

“Kemi dorëzuar nënshkrimet autentike të 1.650 qytetarëve nga i gjithë territori i Kosovës. Pastaj kemi dorëzuar edhe programin e partisë, statutin, si dhe themeluesin e partisë, me nënshkrimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës nga radhët e ‘Listës Serbe’, si dhe anëtarëve të qeverisë, deputetëve dhe kryetarëve të komunave nga ‘Lista Serbe’. Kështu që në të ardhmen, partinë ‘Lista Serbe’ do ta rregullojnë dhe kompozojnë pikërisht qytetarët, që do të kenë të drejtë të marrin pjesë në organet e Kuvendit dhe të përpiqen të japin kontributin e tyre për fuqizimin e autoritetit të ‘Listës Serbe’ përmes institucioneve qendrore dhe lokale”, tha Simiç.

Ai ka shtuar se është njoftuar edhe për faktin që Aleksandar Jablanoviç ka dorëzuar dokumentacion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për transformimin e “Listës Serbe” nga nismë qytetare në parti politike. Me gjithë përpjekjet për ta kontaktuar Jablanoviçin, ai ka qenë i paarritshëm.

Megjithatë, në momentin kur “Lista Serbe” u regjistrua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në vitin 2014, si nismë qytetare në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ky subjekt mbante firmën e Jablanoviçit. Ky subjekt kishte përfshirë anëtarët e partive të ndryshme dhe grupet politike të serbëve, për të marrë pjesë në zgjedhje si të unifikuar.

Slobodan Petroviç, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e “Listës Serbe”, thotë për “Radion Europa e Lirë” se, Jablanoviç është personi që ka themeluar këtë subjekt dhe ai ka të drejtën të jetë trashëgimtar i partisë edhe pas transformimit të saj nga nismë qytetare.

“Sipas ligjit, në bazë të të cilit formohen nismat qytetare, Jablanoviç është edhe pronar i asaj nisme. Ai është themeluesi i vetëm i nismës qytetare. Ndërkohë, ajo që po ndodh këtu, fakti se kush po e themelon partinë, njëri apo tjetri grup, kjo për mua është e parëndësishme. Që nga dita e parë unë kam thënë se njerëz mjaft joseriozë dhe aspak përgjegjës janë në pozita mjaft të përgjegjshme. Mendoj se është një dëm mjaft i madh, para së gjithash për bashkësinë serbe, por edhe për të gjithë qytetarët, sepse kemi humbur 3 vite duke u marrë me atë se kush dhe në çfarë mënyre do të vijë në pozitë”, tha Petroviç.

Top Channel