Terroristi i Stokholmit pranon autorësinë e sulmit me kamion

11/04/2017 00:00

Atentatori i dyshuar i ngjarjes së të premtes në Stokholm e ka pranuar sulmin terrorist, njoftoi avokati i tij mbrojtës.

“Rakhmat Akilov, 39-vjeçari nga Uzbekistani, ka marrë përsipër çdo përgjegjësi dhe e pranoi se për këtë arsye do të përfundojë në burg”, u shpreh Johan Eriksson.

Katër persona humbën jetën nga përplasja e një kamioni mbi ta dhe një grup tjetër këmbësorësh në qendrën e kryeqytetit suedez. Akilov përdori një kamion të vjedhur për të goditur njerëzit në supermarketin “Ahlens”. Ai u arrestua vetëm disa orë pas ngjarjes. Në sallën e gjyqit, 39-vjeçari mbërriti me pranga në duar.

Uzbeku është një individ i njohur për shërbimet vendase të inteligjencës që nga viti i kaluar, kur autoritetet kishin në plan ta deportonin, pasi kërkesa e tij për azil ishte refuzuar. Ai, sidoqoftë, nuk ishte objekt i ndonjë procesi aktiv hetimesh.

Sipas medieve lokale, Akilov kishte lënë pas në Uzbekistan gruan me 4 fëmijë, të cilëve u dërgonte parà. Dy vite pas aplikimit për leje qëndrimi në 2014-n, ai u njoftua se i ishte refuzuar dhe se kishte 4 javë kohë për të lënë vendin. Nga ai moment, 39-vjeçari u zhduk dhe në muajin shkurt ishte vendosur zyrtarisht në listën e individëve të kërkuar nga autoritetet.

Top Channel