Mbijetesa, një ekuacion me shumë të panjohura

11/04/2017 00:00

Lufta për mbijetesën sa vjen dhe bëhet më e ashpër. Në ndryshim nga edicionet e kaluara, ky sezon sheh një garë të ethshme për të qëndruar mes më të mirëve.

Korabi edhe pse matematika e mban ende në lojë, duket të ketë prerë biletën e kthimit një kategori më poshtë, teksa lufta bëhet se kush do të jetë shoqëruesi i dibranëve.

Gjasat janë që një skuadër me emër edicionin e ardhshëm të jetë në Kategorinë e Parë dhe sot kur janë luajtur 28 javë është e vështirë të parashikosh se kush do të jetë ky ekip.

Tingëllon e cuditshme fjalia e thënë nga trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro pas humbjes me Skënderbeun, që ky është një rezultat më i mirë sesa barazimi, por ky është realiteti. Me 3 skuadra në garë për titullin dhe dyshen Luftëtari-Vllaznia që kërkojnë vendin e 4,  llogaritë janë të hapura dhe akuzat për aleanca të paktën për momentin hidhen poshtë.

Java 29 mund të sjellë të tjera lëvizje në renditje, pasi nuk mungojnë duelet direkte për mbijetesë si ai ndërmjet Tiranës me Lacin, ndërsa pjesa tjetër do të përballet me skuadrat e kreut, apo ato që synojnë vendin e 4. Ky kampionat vijon të jetë një ekuacion me shumë të panjohura.

Top Channel